Bardhyl Xhama
Bardhyl Lame
Xhama ka lindur në Fterrë më 13 qershor 1933. Arsimin fillor e kreu në
vendlindje, ndërsa shkollën 7-vjeçare dhe shkollën e mesme pedagogjike i përfundoi
në Gjirokastër në vitin 1953 me rezultate të shkëlqyera. Po këtë vit emërohet
mësues matematike në gjimnazin “Asim Zeneli”. Që nga viti 1954 deri në 1959
punon në arsim në Delvinë, si mësues , zëvendësdrejtor e drejtor shkolle
tetëvjeçare e gjimnaz. Gjatë kësaj periudhe kryen studimet me korrespondencë në
Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë. Nga viti
1959 gjer në vitin 1964 punon në Sarandë si inspektor arsimi, nga viti 1964
deri në vitin 1969 është drejtor në gjimnazin “Hoxha Tahsin” të Sarandës
Në vitin 1969
transferohet në Tiranë si redaktor e më pas Sekretar Kolegjiumi i gazetës
“Mësuesi”. Në vitin 1981 emërohet zëvendësdrejtor në Shtëpinë Botuese të Librit
Shkollor dhe më 1982 fillon punën si Shef Sektori për Gjuhën dhe Letërsinë në
Institutin e Studimeve Pedagogjike. Në vitin 1989 del në pension.
Si mësues e
kuadër në arsim është shquar për përgatitje të lartë shkencore, metodike e
drejtuese. Si gazetar e studiues ka shkruar me qindra shkrime e studime
shkencore pedagogjike. Si shkrimtar ka botuar 11 libra artistikë për fëmijë,
romane, novela, vëllime me përralla, vëllime me rrëfenja etj.
Tetë nga veprat
e tij janë nderuar me çmime në konkurset kombëtare të letërsisë për fëmije e të
rinj.
Ka shkruar mbi
njëqind përralla e tregime ne organet e shtypit, pjesë për teatrot e kukullave,
radiotregime e teletregime, radionovela, skenarë dokumentarësh televizivë etj.
Ka dhënë
ndihmesë të veçantë në Shoqatën Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të
Rinj, si nënkryetar i saj për një kohë të gjatë.
Mban shumë urdhra
e medalje dhe titullin “Mësues i Merituar”