Guri i rëndë në vend të vet

Blerimi, aty në dhé të huaj, punonte shumë dhe me fitime mbante veten, i dërgonte familjes, po edhe i tepronte diçka. Tjetri, Betimi, mori rrugë të shtrembër. U përzie me njerëz të lig e vuri ca pará të pista, pa punën e djersën e tij.
Ram Molla e nuhati të keqen, por ishte vonë. Djali i vogël i kishte dalë duarsh. Një ditë, kur dolën ca njerëz që thoshin: “Do pará? Më jep mua një mijë sot, të të jap dy mijë nesër”, Betimi jo vetëm që u dorëzoi paratë që kishte vetë, po lajmëroi dhe të vëllanë të vinte dhe ai kursimet, se “këtej ishte bërë deti kos”.
Në të vërtetë, Blerimi u kthye në atdhe. Por me mendje të kthjellët. Në mërgim i kishte mbledhur ca pará sa për të rregulluar jetën në vendlindje. Po nuk pranoi kurrsesi këshillën e Betimit, që kursimet t’ua besonte atyre që “të kërkonin një, të të jepnin dy”. Dhe, siç kishte menduar, ashtu dhe veproi. Ngriti një dyqan e nisi të merrej me tregti.
- Sa budalla u tregove! - i tha një ditë Betimi. - Aq sa fiton ti në një vit, unë i marr në një dorë
tek ata që…
- Qesh më mirë kush qesh i fundit, - ia preu fjalën Blerimi, që e kishte ndier erën e keqe të mashtruesve. - Mos harro, o vëlla, se kush ka ngrënë bukën e huaj, ia di më mirë vlerën parasë.
Kur pas disa muajsh Betimi mbeti me gisht në gojë e i humbi gjithë fitimet te “bamirësit”, kujtoi fjalët e të atit që i pat thënë: “Paraja është si uji i kripur, mor djalë, ta shton më shumë etjen. Nuk thonë kot që lakmia e madhe ha të zotin!”

Detajet rreth librit
Autori Bardhyl Xhama
Shtëpia botuese Botimet Toena
Kategoria

Tregime

Proza

Letërsi shqipe

9-12 vjeç

Letërsi për adoleshentë

Numri i faqeve 120
Data e botimit Qershor 2017
ISBN 9789928235510
Gjuha Shqipe
Libër fizik
500 Lekë

Dërgesa brenda 2-5 ditë pune