Skënderbeu

Barleti, bashkëkohës i heroit shqiptar dhe soditës në shumë nga ngjarjet e përshkruara, mbahej, përgjithësisht, gjer tani vonë, si një burim vërtetësie dhe paanësie absolute. Po ashtu, historianët kishin besim të plotë te Biemi, që thotë se e ka hartuar veprën e tij duke u mbështetur te “Historia Scanderbegi edita per quendam Albanensem”, vepër hipotetike e botuar, sipas tij, në Venedik, më 1480, dhe e hartuar prej një ushtari nga Tivari që kishte luftuar me Skënderbeun.

Asnjeri s’i kishte vënë në dyshim fjalët e Barletit dhe thëniet e Biemit, me përjashtim, për këtë të fundit, të dy bibliofilëve, Babinger dhe Ohly, i pari prej të cilëve, më 1931, shfaqi njëfarë dyshimi mbi ekzistencën e veprës në të cilën është mbështetur dhe, i dyti, më 1933, tha se paleotipi i pretenduar venedikas është një trillim letrar i vetë autorit.

Por, një historian rumun, i ri dhe i zoti, Françesko Pali (Francesco Pall), me dy punime të tij të reja: “Marino Barlezio, uno storico umanista, in Mélanges d’histoire générale”, vëll. II, Cluy, 1938, dhe “Une nouvelle histoire de Skanderbeg - Remarque sur le livre de M. Gegay en Revue historique du Sud-Est européen”, viti XIV, n. 10, 12, Bukuresht, 1937, me dituri zëmadhe dhe me kthjelltësi, ia ka rrëzuar vlerën shumë thënieve të Barletit dhe ka provuar në mënyrë të pakundërshtueshme se Biemi, falsifikues nga më karakteristikët e shekullit XVIII, e ka krijuar vetë qenien e kronikës së Tivarasit, për të hartuar veprën e tij.

Me një analizë të saktë dhe të mprehtë, duke krahasuar pjesë më pjesë, periodë më periodë, F. Pali tregon se Barleti (ashtu siç bënin historianët humanistë bashkëkohës, duke ndjekur Livin, Valter Maksimin, Ciceronin, Salustin etj.), jo vetëm fjalimet që paraqet, por dhe shumë hollësi, që gjer tani ishin pranuar si të vërteta, pa ndryshime të dukshme, i ka marrë nga autorë të ndryshëm romakë.

Kuptohet vetvetiu, pra, se të gjithë ata që kanë cituar Barletin, për të fuqizuar vërtetësinë e disa thënieve, u janë referuar, pa ditur, autorëve klasikë dhe kanë kallëzuar shumë herë hollësi të paqena (mbi beteja të ndryshme, mbi marrëdhëniet midis Gjergj Kastriotit dhe Muratit II, mbi vdekjen e heroit shqiptar etj.)

E njëjta gjë duhet thënë, madje në mënyrë të theksuar, edhe për ata që kanë marrë si burim veprën e Biemit. Ndryshe nga Barleti, Biemi nuk kënaqet vetëm të zbukurojë me retorikë me frymë klasike ndodhi të vërteta, por krijon, duke marrë edhe ai nga latinët, në më të shumtat e herës, ndodhi të tëra.

Në përshtatësi me tipin e këtij libri, s’kam mundur ta rëndoj me shënime e citate në fund të faqeve. Them vetëm se dokumentet milaneze, që kam cituar, janë nxjerrë nga Archivio Sforzesco, Esteri (Albania) nga R. Archivio di Stato di Milano dhe nga dokumente të tjera autentike nga seritë (Senatto [Deliberazione secrete]; Senato mare; Privilegi etj.) të R. Archivio di Stato di Venezia.

Sa për grafinë e emrave të vendeve, i jam përmbajtur trajtës klasike, që tani është pranuar nga të gjithë historianët, edhe nga më të rinjtë, si Pali e Gegaj. Për sa i përket numrit të luftërave, duhet përmendur se burimet, edhe ato të vetë kohës së Skënderbeut, kërkojnë gjithnjë t’i shtojnë ato dhe, kështu shumë herë, as që është e mundur të kontrollohen nëse janë të vërteta apo jo.

 

Detajet rreth librit
Autori Alessandro Cutolo
Shtëpia botuese Botimet Toena
Përkthyesi Ali Hashorva
Kategoria

Histori

Numri i faqeve 480
Data e botimit Mars 2018
ISBN 9789928277206
Gjuha Shqipe
Libër fizik
1000 Lekë

Dërgesa brenda 2-5 ditë pune