Paqja e rrënuar

Në “Paqe e rrënuar”, korrespondenti veteran për botën e jashtme David A. Andelman hedh një vështrim të ri të freskët në Traktatin e Versajës si pikë zanafille për shumë nga çështjet më të rënda ndërkombëtare të sotme. Kjo histori kuptimplote vë në dukje mësimet e fuqishme, që na jep neve sot një periudhë gjashtëmujore e kaluar me kohë.
Andelmani e përqendron vëmendjen në gabimet e shumta të kryera prej paqëtuesve - gabime, që shpunë në kriza e gjakderdhje nga Algjeria në Kosovë e në luftëra nga Izraeli në Vietnam. Duke u ndalur kryesisht në vendet e vogla e në lojtarët e vegjël të bisedimeve, ndër ta edhe në figura si Ho Shi Min e Sharl de Gol, të cilët më vonë do të bëheshin emra të shkruar me shkronja të mëdha, ai ndjek rrjedhojat e Konferencës së Parisit në krejt vijën e historisë së shek. XX e të fillimit të shek. XXI. Përfundimi, ku arrin, është i pakëndshëm: jo vetëm qëndrimi paternalist, i padije dhe egoist i Fuqive të Mëdha, që gdhendën Traktatin e Versajës, shpunë në ato pasoja katastrofike të parathëna asokohe, por politika aktuale e vendeve të zhvilluara të botës shpesh i përsërit dhe i ripohon po ato gabime.
Andelmani, gjithashtu, na jep një tablo të gjallë të asaj shtjelle sociale plot shkëlqim e shpesh të rrëmujshme, që shoqëronte bisedimet. Elsa Maksuelli jepte pritjen e parë në sallon; djaloshi Franklin Delano Ruzvelt u vinte rrotull vejushave të Parisit, duke turpëruar të shoqen Elinor; princesha dhe zotërinj të rinj me veshje ceremoniale vallëzonin me hare nën tingujt e freskët e të vrullshëm të xhazit amerikan dhe të gjitha këto ndërkohë që kryeministrat Zhorzh Klemanso dhe Dejvid Llojd Xhorxh përpinin me sy harta të mëdha, duke ndarë territore dhe duke përforcuar gjendjen e vendeve të tyre si fuqi botërore kryesore në dekadat e ardhshme.
I plotësuar me citime konkrete nga ditarët dhe nga letërkëmbimi i pjesëmarrësve, si dhe me fotografi të pabotuara më parë nga punimet dhe mjediset e konferencës, “Paqe e rrënuar” ndihmon për të ndryshuar mënyrën si gjykohet për historinë e shek. XX, për ndikimin e kësaj historie në ngjarjet aktuale, dhe ku duhet të shkojmë tani e tutje.

Detajet rreth librit
Autori David A. Andelman
Shtëpia botuese Botimet Toena
Përkthyesi Abdyrrahim Myftiu
Kategoria

Histori

Me temë historike

Numri i faqeve 344
Data e botimit Dhjetor 2008
ISBN 9789994314362
Gjuha Shqipe
Libër fizik
1000 Lekë

Dërgesa brenda 2-5 ditë pune