Shporta juaj është bosh
Nelson Mandela
Libri për Mandelën ka rëndësi jo vetëm për t’u njohur me Mandelën, me këtë njeri të madh të shekullit XX, që luftoi me shumë ndershmëri, guxim dhe konsekuencë për çlirimin e popullit të tij, por edhe për të krahasuar regjimin racist të Afrikës së Jugut, kundër të cilit u ngrit gjithë bota, duke mos përjashtuar edhe Shqipërinë tonë totalitare komuniste, me regjimin tonë komunist; me të drejtat dhe liritë e njeriut aty dhe këtu; me sistemin e drejtësisë aty dhe këtu; me sistemin e burgjeve aty dhe këtu, me sistemin e ndalimeve aty, me sistemin e internimeve këtu; me luftën raciale që u bëhej të zinjve aty, me luftën politike të klasave që u bëhej “të deklasuarve”, “reaksionarëve” këtu.
Është detyrë e intelektualit, është detyrë e atdhetarit të kryejë diçka të dobishme për popullin e tij, ta frymëzojë e ta nxisë atë që të bëhet më i mirë, më me karakter, më i moralshëm, më i butë, më i vërtetë. Si mund ta bëjë këtë? Mënyra më e mirë dhe më efikase është të frymëzojë popullin me shembullin e tij. Por kjo nuk është gjithnjë e lehtë dhe gjithnjë e mundshme, prandaj Mandela thotë: “Frymëzoje popullin tënd me shembullin e të tjerëve”.
Frymëzimi për mirë me shembullin e të tjerëve, e kanë shtyrë autorin që të shkruajë studimin për jetën, mendimet dhe veprat e Mandelës që, sipas mendimit të përgjithshëm, kanë qenë nga më të mëdhenjtë e shekullit të shkuar, jo në drejtim të dredhisë, të hiles, të demagogjisë, të hipokrizisë, të forcës fizike, të fuqisë ushtarake, të pushtimeve, të skllavërimeve, por të përpjekjeve dhe arritjeve të çlirimit dhe emancipimit të popujve të tyre me metoda morale e paqësore, të ndjekjes pa lëkundje të idealizmit pozitiv, duke dhënë shembuj me vlera universale.
Autori | Ilir Hashorva |
---|---|
Shtëpia botuese | Botimet Toena |
Kategoria |
Histori Me temë historike Biografi |
Numri i faqeve | 334 |
Data e botimit | Dhjetor 2012 |
ISBN | 9789994318360 |
Gjuha | Shqipe |