Shtypja e "lirisë" - The pressure of "freedom"

Në kohën e një krize globale, të dëgjosh lajmet, e ca më pak t’i transmetosh ato, është gjithashtu burim represioni, mungese lirie dhe frymëmarrjeje. 


Të jesh në media në ditët e sotme është sfidë, të jesh moderator lajmesh, akoma më e vështirë. Në kohërat që po kalojmë, më parë pandemia, tani lufta, në këtë epokë ndryshimesh klimaterike dhe fatkeqësish natyrore, të japësh lajmet është kthyer në një makth të vërtetë.


Ҫ’mund të ndiejë një moderator teksa ditë pas dite, në të njëjtën orë, ngujohet për vite të tëra në të njëjtën tryezë pune?


Arrati, dëshirë për natyrë, diell e paqe është thelbi i ikjes së Paços në copa letrash, shpesh mbushur me fjalë ogurzeza që lajmërojnë shkatërrim, aksidente, fatkeqësi natyrore, heqje lirie, vrasje, korrupsion, luftë, vdekje.


Kjo do të thotë të marrësh një qëndrim agresiv ndaj mendjes tënde, një lloj lufte civile psikike, çka shkakton numrin e zërave të brendshëm që rriten duke u bërë gjithnjë më kërcënues dhe rezistentë.


Impostimi fizik në portret dhe në tonin e zërit, qëndrimi korrekt para kamerës, një zë në dukje i qetë, fsheh emocione jo dhe aq të qeta. 

Ajo që zëri, portreti, mendja, fjalët e artikuluara shkaktojnë te njeriu shpërfaqet në mënyrë të pavullnetshme në skica vendesh të mrekullueshme, idilike, që shpesh ngjajnë si ëndrra.

Ekspozita “The Pressure of Freedom” ka në themel 34 punime në A4 në formë skicash me ngjyrë, nga piktori Ilir Paço. Janë punë të skicuara mbi letrën e lajmit të ditës, që në njëfarë mënyre e kthen këtë formë të regjistrimit emotiv të ngjarjeve në një lloj ditari. Fakti që lajmi në kokën e letrës nuk ka lidhje me punimet e piktorit, ngërthen në vetvete alteregon e artistit që jeton brenda moderatorit të lajmeve. Për të treguar represionin e lajmeve që sot nuk janë thjesht informim, janë vendosur gjashtë ekrane në mjediset e COD-it, ku shfaqet si “loop” imazhi i moderatorit duke lexuar lajmet e ditës direkt në kanalin ku ai punon, Top Channel. Zëri i tij mbivendoset nga ekrani në ekran duke u transmetuar në kohë reale për ta bërë më të ndjeshme metaforën dhe kontrastin mes artit dhe gazetarisë.


Është pikërisht nëndërgjegjja, që sipas Frojdit sublimohet në formën e një përpjekjeje artistike, duke u kondensuar në 34 punime shumë interesante me një frymëzim idilik lirie të dashurisë për jetën dhe të bukurën.


Zakonisht, ne ikim në ëndrra për t’i shpëtuar realitetit, dhe pse jo, për ta idealizuar atë, ndërkohë që ëndrra e Paços është reale, e mishëruar me elegancë, me frymë e ndjesi që përçojnë estetikën e tij.


Pra, thelbi është ikja në kthinat e nënvetëdijes për të gjetur aventurën, fantazinë, lirinë e munguar, ashtu si shpesh në ëndërr shohim vende që mbase kurrë s’i kemi parë në jetën reale. Jo rastësisht ëndrra e Ilirit kapërcen kufijtë e shkon në Greqi, apo Itali, vende legjendash e bukurish natyrore.

Detajet rreth librit
Autori Ilir Paço
Shtëpia botuese Botimet Toena
Kategoria

Art

Veprimtari

Refleksione

Numri i faqeve 80
Data e botimit Shtator 2023
ISBN 9789928376794
Gjuha Shqip anglisht
Libër fizik
2000 Lekë

Dërgesa brenda 2-5 ditë pune