Shporta juaj është bosh
LEGJITIMIMI I KRIMIT NË BOSHTIN E KULTURËS POLITIKE: RASTI I SHQIPËRISË SOCIALISTE
"Aftësia e racionalitetit - duke e paraqitur renditjen kohore si ‘zhvillim’, si kalim nga gjendje më të ulëta në gjendje më të larta, në formën e një zinxhiri ku çdo hallkë është, nga këndvështrimi i hallkës pasuese, një mjet (një kusht i domosdoshëm ose një shkak), ndërsa gjendjet pasuese, duke parë prapa, zbulojnë
kuptimin e atyre që i kanë paraprirë - lejon ‘kuptueshmërinë’ e një vargu ngjarjesh. Kujtesa moderne e përfytyron kohë-hapësirën si lineare dhe vertikale, jo ciklike dhe horizontale. Brenda kësaj kohe - hapësire,‘e hershmja’ do të thotë ‘më poshtë’ dhe ‘më ulët’. Nga ana tjetër, ‘poshtë’ nënkupton ‘jashtë mode’ - një relike ose një e fërkëllyer e së kaluarës, një i dënuar që pret ekzekutimin në qelinë e vdekjes, një zombi, një pushtues i paligjshëm në shtëpinë e së tashmes. Megjithatë, në këtë proces, ku kohë-hapësira shfaqet si një fushë beteje ndërmjet (të epërmes) së ardhmes dhe (të poshtmes) së kaluarës, ekziston një variabël që fshihet me kujdes. Kjo variabël është pushteti: epërsia testohet dhe provohet përmes fitores; inferioriteti përmes humbjes. Historia e përparimit rrëfehet nga fitimtarët. I munduri bëhet i dënuar."
– ZYGMUNT BAUMAN
Në një botë ku historia trajtohet si kronikë e pushtetit dhe krimi apo dhuna si devijime tërësisht individuale, ky libër shpalos një tjetër gjendje të realitetit: atë të krimit dhe dhunës së heshtur, të legjitimuara dhe të organizuara përmes vetë strukturave të shoqërisë moderne. Një nga periudhat ku ky
këndvështrim mbi eksperiencën njerëzore u hodh në praktikë ishte dhe regjimi komunist në shoqërinë shqiptare. Nisur nga kjo, në fokus të këtij studimi është kultura politike elitare e këtij regjimi e cila, ashtu si entitetet politike të kohës në vende të tjera, ushqehej nga pasionet dhe besimet e modernitetit
për një rend shoqëror perfekt; një rend i cili pasi të ishte konsoliduar një herë e mirë, banuesit e tij nuk do të ndiheshin më të detyruar të vuanin apo sakrifikonin siç ndodhte në rendin paraprak, për shkak të patologjive që ai mbarte. Me adoptimin e një botëkuptimi të unifikuar ideologjik - e ashtuquajtura
ideologjia marksiste leniniste - elita politike i dha të drejtën vetes për të qenë mbikëqyrëse dhe zbatuese e këtij rendi të ri social, në të cilin çdo lloj vuajtje do të ishte e justifikuar për aq kohë sa i shërbente themelimit, ruajtjes dhe zgjerimit të vetë rendit në fjalë.
Duke shqyrtuar disa prej dokumenteve dhe veprave të kësaj periudhe përmes analizës tematike dhe diskursive, dhe duke “negociuar” me teoricienë si Zygmunt Bauman, Max Weber, Michel Foucault, Émile Durkheim, Gabriel Almond dhe personalitete të tjera akademike në fusha si sociologjia politike, sociologjia e moralit dhe ajo e krimit, ky studim rreket të nxjerrë në dritë tiparet e kulturës politike elitare të regjimit komunist dhe të shpjegojë se si u bë i mundur procesi i legjitimimit të krimeve apo akteve të dhunshme politike përmes kulturës politike në fjalë. E formuluar në mënyrë më gjithëpërfshirëse, shqetësimi qendror i këtij punimi është të tregojë se si u legjitimua krimi dhe dhuna shtetërore përmes diskurseve që prodhonte kultura politike elitare e regjimit, dhe se si këto diskurse arritën ta konkretizonin aktin e legjitimimit duke krijuar një proces subjektivizimi, gjatë të cilit impulseve morale të qenies njerëzore i kushtohej një kujdes i veçantë përmes kontrollit dhe administrimit, duke mos lejuar kurrë që të dilnin kundër etikës dhe aspiratave që promovonte botëkuptimi ideologjik i kohës.
Një vend i veçantë brenda diskutimit i jepet edhe imagjinatës sociologjike; si duhet përdorur sociologjia kur ajo përballet me gjendjen e paralizuar të impulseve morale nga vetë rendi social? Si përfundim, ky libër duhet parë si një reflektim tronditës mbi përgjegjësinë morale dhe banalitetin e së keqes - jo vetëm si eksperiencë e së shkuarës, por si rrezik i përhershëm potencial i rendit kulturor - politik modern.
Autori | Ledjo Zeneli |
---|---|
Shtëpia botuese | Botimet Toena |
Kategoria |
Studime |
Numri i faqeve | 196 |
Data e botimit | Shtator 2025 |
ISBN | 9789928960047 |
Gjuha | Shqip |