Shporta juaj është bosh
Mendoj si europian
Përmbajtja e librit
MENDOJ SI EUROPIAN është fokusuar te ndërtimi i mendimit përmes edukimit, duke
integruar filozofinë, shkencën dhe fenë në institucionet: familja, komunitetit
qytetar, shkolla, shteti dhe institucionet fetare.
Titulli i librit është produkt i kërkimit të thellë e të gjatë filozofik
për mendimin dhe i mbledhjes së të dhënave gjatë eksperiencës në procesin
mësimor edukativ parauniversitar dhe në shkollën e lartë. Edukimi është proces
i gjerë. Është përvetësimi i njohurive, zhvillimi i aftësive, ndërtimi i
vlerave, besimeve dhe i zakoneve. Ai përfshin procesin mësimor. Edukimi, në
kontekstin publik, zhvillohet nën drejtimin e edukatorëve/mësuesve dhe ka në
qendër nxënësin. Natyrisht, institucionet e edukimin mund të jenë publike ose
jopublike. Shkencat e edukimit, filozofia dhe njohuritë mbi fenë janë tri
shtylla mbi të cilat ndërtohet godina e formimit shkencor të njeriut përmes
shkollimit laik e sekular. Natyrisht, edukimi fillon në familje dhe vijon në
çerdhe, vazhdon në sistemin parashkollor, në shkollën fillore, në shkollën e
mesme të ulët (8-9-vjeçare) dhe të mesme të lartë (gjimnazi dhe shkolla
profesionale/lice), në institucionet e arsimit të lartë (IAL) (universiteti,
akademia, instituti, kolegji), dhe vazhdon gjatë gjithë jetë së njeriut. Duke
qenë shumë i gjerë, studimi ynë është fokusuar tek edukimi i mendimit dhe
ndërtimi i vlerave themelore njerëzore. Modeli i shoqërisë së qëndrueshme
projektohet nga mendje të zhvilluara, të bazuara mbi themele të vërtetash dhe
që zhvillohen e pasurohen gjithë jetën në mënyrë të ekuilibruar, duke tentuar
drejt një raporti sa më të saktë mes racionales dhe jo racionales, i cili është
konsideruar si “raporti i artë”. Më shumë se çdo epokë e historisë, epoka jonë
globale kërkon njerëz me mendje të hapur, shoqëri të qëndrueshme, shmangie të
paragjykimeve fetare, të konflikteve dhe të radikalizmit. Prandaj fokusi ynë,
në vijim, është mendimi. Si ndërtohet mendimi i njeriut gjatë procesit të
shkollimit dhe pas tij.
| Autori | Agim Leka |
|---|---|
| Shtëpia botuese | Botimet Toena |
| Kategoria |
Studime Filozofi |
| Numri i faqeve | 480 |
| Data e botimit | Nëntor 2025 |
| ISBN | 9789928960115 |
| Gjuha | Shqip |
































