Shporta juaj është bosh
Liana
Ishin kohë, vite e ditë që më merrnin me vete, herë duke më joshur e herë duke bërë ndaj meje padrejtësi, dhe unë luftoja për t’u ngritur mbi to. Ngjitesha majë kodrës për të parë horizontin e të nesërmes, edhe pse qyteti ku kisha lindur e kishte të zymtë perspektivën. Nuk e kuptoja arsyen pse… E kisha lidhur jetën me të dhe ndjeja përditë flladin ledhatues që më përkëdhelte fytyrën. Ishte era e malit që më puthte në heshtje dhe më jepte një ndjesi kënaqësie…
Desha t’i ngjitesha malit për të parë andej horizontin përtej detit e të përqafoja diellin në perëndim. Nuk e desha dhe nuk e prisja që vendi im, malet e qytetit tim, të goditeshin nga erëra në formën e njeriut keqbërës; që fushat poshtë qytetit, ujërat që rridhnin në përrenjtë e gjelbër, rrugët e gdhendura në gurë dhe historia, të ishin sprova e një ndryshimi për keq…
Jetoj në ditët e fëmijërisë sime. Kujtoj çastet e netëve të ftohta, kur nëna më fliste për vuajtjet e jetës së vështirë që kishte kaluar. Ishte fatkeqe, por edhe krenare për ne, fëmijët e saj. Zemra ime vuan sot për të. Copëza të saj i kam lënë atje, poshtë mermerit ku prehet e qetë ajo, larg meje, këtu në mërgim.
| Autori | Panajot Zoto |
|---|---|
| Shtëpia botuese | Botimet Toena |
| Kategoria |
Roman Letërsi shqipe |
| Numri i faqeve | 164 |
| Data e botimit | Shkurt 2026 |
| ISBN | 9789928960320 |
| Gjuha | Shqip |
































