KAPITULLI I AMERIKËS

Poetika e mirënjohjes, brenda një “kapitulli amerikan” të Fatos Kongolit
 
Nga Agron Gjekmarkaj
12.05.2020
 
 
Qysh herët, kur shkruheshin përkufizimet e etikes shoqërore, Aristoteli, një nga eterit themelues të qytetërimit tonë, pat konstatuar se “mirënjohja vjetrohet e para” te njeriu. E në përgjithësi, historia dhe letërsia me personazhet e tyre si ngrehinë e semantikës humane i japin të drejtë grekut antik. Në botën shqiptare të mbushur me maraz e qejfmbetje ngado që e kthen kokën, fjalia monumentale duket si e denjë për t’u skalitur në ballin tonë shqiptar. Me gjasë, Fatos Kongoli, shkrimtari i njohur, i shquar po kaq në vendosmërinë për të mos e braktisur modestinë e vet, do të befasojë jo pak me gjërat e “thjeshta”, të cilat i paskëshim harruar.
Njëra prej tyre është mirënjohja, kjo kompozitë themelore e të qenët njerëzorë, braktisja e së cilës e lejon individin të eksperimentojë gjithçka që lidhet me të kundërtën e saj. Libri i sapodalë i Fatos Kongolit, “Kapitulli i Amerikës”, nga shtëpia botuese “Toena”, i cili më bëri shoqëri për gjatë disa ditëve të kësaj karantine, më përmbysi një tipologji të rrënjosur gati verbërisht në ndërgjegje, se shkrimtarët zakonisht marrin mirënjohje më shumë sesa japin. Pos tyre, një aradhë e madhe njerëzish në zanate e profesione, artistë e politikanë, policë e hajdutë, mekanikë e bujq, pozita dhe opozita, edhe pse paguhen për punën e tyre, po kaq e pretendojnë. Ai u jep vend të tjerëve, duke spostuar veten në zonat e largëta, ku qenia humbet peshën. Kongoli jeton nën dhunën e një borxhi që e shoqëron Adamin e Evën që nga kafshimi i mollës.
 
Për ta larë atë, për t’iu kthyer së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes u rikthye gati si Kostandini e bëri gjithçka që mund t’i konsiderohet shlyerje, shkruan e shkruan, romane, ese dhe kujtime. “Kapitulli i Amerikës” është përkushtimi i tij, së pari për Hyun, që e vuri në prova të rënda shëndetësore, ku siç mund të perceptohet gjithçka rifiton kuptim të ri, dëshira për qëndresë për ta ngulur në deje të tokës spirancën e jetës, malli që nuk mund të këputet për njerëzit e dashur, fëmijët, gruan , miqtë dhe letërsinë. Me një kujtesë sqimatare tërheq nga fati i vet një galeri të madhe personash, personazhesh e personalitetesh për t’i bërë bashkë si elementë jetikë, pa me të cilët ndërton historinë e jetës së vet të shndërruar në memuar.
 
I rikthyer së dyti në jetë siç vetë e thotë, në udhëtimin e ardhjes, edhe ai takon diku Virgjilin e tij për ta udhëhequr në renditjen e kujtimeve , teksa në “ferr” apo “purgator” ka qenë vetëm me të shoqen, me pak doktorë të përkushtuar, fizioterapistët, infermierët e mbi të gjitha mikun francez, Xhulien Rosh, që i gjendet pranë, vendos i sapodalë asaj ujdhese të ndërtojë një parajsë me qiejt e saj për shumë njerëz që ka njohur në jetë që kur shkroi së pari, derisa mbylli “Kapitullin e Amerikës”.
 
I vëmendshëm që të evidentojë vetëm të mirën, ndërsa e keqja i duket një rastësi alogjike, ku në çdo rast konflikti gjen fajin te vetja dhe jo te tjetri, sjell në vëmendje të lexuesit kritikat e para të shtypit të Kosovës ndaj tij, tejet të egra më të, më vonë takimet me Sabri Hamitin e Rexhep Qosen, takimet në aeroport me një përkthyese në tentativë, një bisedë me një të panjohur në bulevardin e qytezës amerikane ku banon, mësimin e anglishtes, betimin si qytetar amerikan, raportet me Piro Manin, Betim Muçon, Naum Priftin, Shpëtim Telegrafin e të tjerë intelektualë shqiptarë që janë shndërruar në diasporë.. Befasues shfaqet në vlerësimin që ka për analistë e gazetarë, të cilët ia kanë lexuar librat dhe ia komentojnë bujarisht ato. Keqardhja për detajet që nuk mund të sjellë, për emra të harruar nga sulmet e ndodhive të përditshme, janë një brengë e tij. Secilit prej tyre, megjithatë, i përcjell diçka të paharrueshme në përpjekjen e tij për t’i gjetur një vend.
 
Po kaq me gëzim të dëlirtë fëmijësh, por aspak naiv, që zbulojnë enigmat e para të botës, rrëfen udhëtimet në Europë, në shtëpi shkrimtarësh e mes tyre pa mburrje, pa rrahagjokse, gati me përvujtni, megjithëse tanimë është i përkthyer në shumë vende e gjuhë.
 
Mburrja ballkanike e provinciale duket se nuk e ka prekur askund mendimin e Kongolit. I gatshëm të vihet në diskutim, të rrethohet me pikëpyetje, të mundohet deri në lodhje për të kuptuar tjetrin, nuk pranon të bëhet asnjëherë objekt kundërvënieje, sidomos me Ismail Kadarenë, të cilin kudo e thërret Zoti Kadare, i pasigurt e mirëkuptues nëse ai ia ka lexuar apo jo librat, madje mirënjohës për fjalët e mira që i mbërrijnë nga të tretë nga çifti Kadare. Po kaq sinqerisht i prekur, duke e përjetuar si një padrejtësi që atij Ismail Kadaresë, nuk i ishte dhënë ende “Nobeli”. Jo shumë shkrimtarë shqiptarë e shfaqin këtë brengë. Mjaft ngjarje të Shqipërisë dhe të botës ndërthuren në këto libra, shumë emra apo mendime të tyre kryqëzohen ndërmjet. E kaluara dhe aktualiteti të kushtëzuara nga njëra-tjetra, sidomos këtej nga ana jonë.
 
Në mes tyre, një ngjarje që e ka parë Fatos Kongolin dëshmitar në një gjyq të organizuar nga Sigurimi i Shtetit. Një ngjarje, për të cilën ai nuk ka heshtur, nuk ka fshehur, por ka rrëfyer duke evoluar. Nëse tek “Iluzione në sirtar”, kur e lajmëroi atë si fakt, ai shfaqej pak i ftohtë, aq sa mori mbi shpinë shumë sulme, te “Kapitulli i Amerikës” gjejmë një reflektim, një mea culpa, një nevojë për mirëkuptim të krishterë e falje që nuk ishte hero e rezistent. Ai lyp vëmendjen e lexuesit për mungesën e kurajës për t’u rebeluar e burgosur, për ankthin e frikën, por edhe për kurajën për të gjykuar vetveten. Intelektuali shqiptar ka një zakon, shpesh heroizohet, Fatos Kongoli deheroizohet.
 
Tek e lexoja, Kongoli më ngjante shpesh me Diogjenin në fuçi, të cilit i shkoi Aleksandri i Madh pranë dhe i tha “Çfarë do të dëshiroje nga unë?”, ndërsa Diogjeni i përgjigjet: “Të spostoheshe pak se më ke zënë diellin”! Kësisoj, edhe Kongoli kërkon hisen e vet të Diellit, jo për t’u ngrohur, po për të ndriçuar, për të bërë dritë mbi kohën dhe njerëzit, ngjarjet dhe emocionet, librat dhe eksperiencat, gjenezën e teksteve të vetave, përmes së cilave pranohet si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të bashkëkohësisë shqiptare e më gjerë!... Dhe çuditërisht nuk kërkon asgjë prej nesh, teksa na bën me dije se na është mirënjohës për gjithçka është e ka mundur të bëjë! Nëse nuk më zini besë, lexojeni “Kapitullin e Amerikës”, në mos për tjetër, për të kujtuar se edhe Aristoteli nuk paskësh gjithmonë të drejtë. Sidomos kur bëhet fjalë për poetikën, jo të tijën, por atë të mirënjohjes.


Shpërndaje