Shporta juaj është bosh
Misteri i Mjellmës
Nevil Bardhi, protagonisti i këtij romani të ri të Kongolit, me të përfunduar studimet për matematikë, punon prej pesë vjetësh si inspektor në DPKR (Drejtoria e Përgjithshme e Krimeve të Rënda). Idhulli i tij, që në vitet e gjimnazit, ka qenë dedektivi privat me origjinë belge Hercule Poirot, personazhi legjendar i shkrimtares angleze Agata Kristi (Agatha Christie). Prej këndej edhe ëndrra më e madhe e protagonistit: të bëhet dedektiv privat.
Rutina e përditshme e inspektorit në agjencinë ku e kanë rekrutuar, tepër larg kësaj ëndrre, trazohet befas një ditë kur një e panjohur enigmatike, të cilën ai e mbiquan Mjellma, i nis një zarf të madh ku kishte një numër zarfesh të tjera dhe në njërin prej tyre një letër me fakte tronditëse. Kështu nis një marrëdhënie e çuditshme midis inspektorit dhe Mjellmës, një qenie sa reale aq dhe virtuale.
Po kush është Mjellma? Çfarë synimesh ndjek ajo duke i vënë në dispozicion inspektorit kohë më kohë, nga fillimi deri në fund dokumente konfidenciale, që po të bëhen publike mund të shkaktojnë tërmete deri në sferat më të larta? Kush është burimi i këtyre dokumenteve?
Në kërkim të zbulimit të Mjellmës, Nevil Bardhi në të vërtetë arrin të zbulojë vetveten në një realitet të zhytur në korrupsion, ku krimi i organizuar bën ligjin gjithandej. I tunduar dhe i grishur seksualisht nga Mjellma, ai është i përpirë nga dashuria për Gentën.
Autori | Fatos Kongoli |
---|---|
Shtëpia botuese | Botimet Toena |
Kategoria |
Roman Mister Me temë shoqërore Letërsi shqipe Libra të rinj |
Numri i faqeve | 152 |
Data e botimit | Shkurt 2022 |
ISBN | 9789928348807 |
Gjuha | Shqipe |