ROMANI "VAJZAT E MJEGULLËS" NË SPANJË

Ditët e fundit, romani “ Vajzat e mjegullës”, i përkthyer nga Maria Roces Gonzales, kaloi një tur prezantimesh në disa qytete të Spanjës. Më i rëndësishmi prej tyre ishte ai që u zhvillua në Institutin Cervantes, institucioni qendror i Mbretërisë së Spanjës për gjuhën spanjolle dhe nxitjen e kulturës e të letërsisë.

“Vajzat e mjegullës” është romani i parë i letërsisë shqipe që prezantohet në këtë institut. Sekretarja e Përgjithshme e institutit, Carmen Noguero Galilea, në hapje të eventit, mes të tjerash, tha:

“Historia e botës përjeton një kohë të veçantë dhe pluraliste. Kjo bën që, në vazhdimësi, midis gjuhëve dhe kulturave të ndryshme, të mjaftojë edhe një fill i vetëm lidhës mes përvojave për të kuptuar veçantitë e të tjerëve. Kjo na ndodh kur afrohemi te “VAJZAT E MJEGULLËS”, roman i jashtëzakonshëm i Namik Dokles, prezantimin e të cilit kemi kënaqësinë ta mirëpresim sot, në një përkthim mjeshtëror të Maria Roces Gonzales.

“Vajzat e mjegullës” është rrëfimi i një jete të jetuar nën shtypjen e diktaturës së ashpër të Enver Hoxhës. Dokle na e tregon këtë jetë përmes përjetimeve të një fëmije kurioz dhe të zgjuar, që na e zbulon këtë histori nën këndvështrimin unamunian, si intrahistori, pa lënë mënjanë edhe përsiatje të tjera. Kështu njihemi me memorien e një fshati dhe të një krahine, por që në romanin e Dokles kondensohet me atë të një kombi të tërë dhe të një pjese të Europës së shekullit të kaluar. Duke e lexuar, jo vetëm që kalojmë nëpër faqet e një letërsie të nivelit të lartë, por edhe mësojmë për jetën e njerëzve të Gorës, për gjeografinë e saj, për historinë, kulturën dhe traditat. Dhe, në të njëjtën kohë, në këtë pasqyrë kuptojmë më mirë historinë tonë.

Mirë se erdhe, Namik, dhe është kënaqësi që ky roman prezantohet në Institutin Cervantes. Urojmë sukses dhe le të jetë ky një hap më shumë në njohjen tonë me një letërsi, letërsinë shqipe, që tashmë i ka dhënë letërsisë universale emra të padiskutueshëm si Ismail Kadare, fitues i çmimit “Princi i Asturias” për letërsinë në vitin 2009, apo Fatos Kongoli, ose poetja Luljeta Lleshanaku, e cila, edhe pse në moshë të re, është njohur si poete e radhës së parë.

Gjuha shqipe, si çdo gjuhë tjetër amtare, ka përpikmërinë për të shprehur ndjeshmërinë e saj të veçantë në një botë gjithnjë e më shumë globale. Falë përkthimit nga Maria Roces, kuptojmë sot që zëri i Namik Dokles është një nga ata që, më së miri, na ndihmon të kuptojmë vetveten.”

Në recencën e shkrimtarit dhe historianit Emilio Sola, theksohej se libri i Namik Dokles është një roman i bukur, një narrativë e parë në sytë e një djali në prag të jetës, që na zbulon një jetë të margjinalizuar në kufijtë ballkanikë,-Shqipëri, Serbi, Maqedoni, Bullgari dhe të vetë Kosovës,- qysh prej një nate të errët të kohëve thuajse të zanafillës, të evokuara nga Majka,  një plakë vizionare dhe e ditur, e cila, bashkë me Mësuesin, janë shprehësit e kujtesës historike të një fshati dhe të një krahine, që gjithherë ka qenë toka e një ikjeje të paskaj, që nga bogomilët e mesjetës deri në kohët tona. E gjithë kjo bën që protagonisti i romanit të kuptojë thelbin e jetës së njerëzve që e rrethojnë:’Nga mjegulla vijmë, në mjegull e kalojmë jetën; jemi jetimë në shtëpinë tonë.’

Krahas vuajtjes, romani përshkohet edhe nga një gëzim i kthjelltë në atë realitet të ashpër, nga zëri i vajzave që këndojnë në shtatë portat e fshatit, apo edhe nga përjetime të tjera poetike.”

Në prezantimin e romanit në Malaga, profesori i universitetit Vicente Fernández, i njohur si një nga përkthyesit më të mirë nga greqishtja në spanjisht, pasi vlerësoi përkthimin e romanit nga Maria Roces, tha:” Në romanin e Dokles vibrojnë të gjitha ndjesitë njerëzore, dashuria dhe urrejtja, trishtimi dhe gëzimi, represioni dhe rezistenca shpirtërore.” Ndërsa botuesi Antonio Ruiz tha se “çdo botues do të ishte i kënaqur po të kishte në dorë romanin “Vajzat e mjegullës”. Falë këtij romani që përshfaqet si një baladë e mrekullueshme, në sytë e lexuesit shfaqet Bukojna magjike e shtatë portave dhe ku dielli lind dy herë çdo ditë, që reziston përballë represionit të pamëshirshëm në kohërat e dashurisë për Stalinin.”

Në Oviedo, në takimin e zhvilluar në librarinë “Cervantes”, vlerësimet për romanin i bëri profesori i universitetit të atij qyteti, Javier Ballina: “Një roman i bukur, shumë interesant, shumë shqiptar dhe duke qenë i tillë është i mirëpritur në gjuhë të tjera.”

Në të gjitha prezantimet u bënë pyetje nga pjesëmarrësit dhe vlerësime nga lexuesit e romanit. Folën edhe përkthyesja Maria Roces dhe autori Namik Dokle.


Shpërndaje