Analiza, ana tjetër e kontributit shkrimor të autorit Namik Dokle! Ritregim i legjendave të Gorës dhe visaret e vyera.

Nënshtrati më i rrokshëm, që përçon teksti i librit, është paraqitja e vlerave shpirtërore, të legjendave të krahinës së Gorës, me shumë mundësi, të amës së memories gojore, që ende ruhet në vargje dhe në copëza më të shkurtra, treguar në prozë. Njëherit, bazuar vetëm në materien tekstologjike, jemi edhe në situatën tjetër, krejt tjetërsojshëm, të rishkrimit, pra të aktit të qartë të përpunimit të autorit, që përfshin mbledhjen, sistemimin dhe sendërgjimin e një situate tjetër, që tanimë shpalohet në formën e ritregimit të legjendave, të kësaj pasurie të jashtëzakonshme. Varësisht tipologjisë së këtij libri, pra të botimit të legjendave, të rishkruara, tanimë të derdhura në formën ritregimit të këtyre visareve të vyera. Prandaj, për të hyrë realisht në marrëdhënie me materien letrare, është e pashmangshme ndalesa në disa aspekte që përmban ky tekst.

PRANIA E DY TITUJVE EMËRTUES

Në kopertinën e librit, ndërkaq kemi të shqiptuar dy tituj, të vendosur jo rastësisht, në këtë rrethanë dyfishimi. Nga njëra anë, libri titullohet “Vallëzim me hënën”, që është një përcaktim autorial, por njëherësh, sintagma vallëzim më hënën, shënjon edhe majën më të lartë të vlerave shpirtërore dhe estetike, që bartin legjendat e Gorës. Në këtë situatë, të shpalimit të titullit, po kaq të ndërmendet edhe situata siprane, ku hëna ka zbritur në lëndinë dhe me tri bukuroshet e Gorës ka hedhur valle, si katër hëna, të cilat janë veshur me dritën e hënës. Pa mëdyshje është e jashtëzakonshme gjendja letrare, është më shumë se magji, është pasqyra ku përthyhet dhe projektohet shpirti dhe identiteti goran. Megjithatë, rrafshi i epërm, i shpalimit të vlerave shpirtërore të mbinatyrshme, në fjalësinë e derdhur, befas dekodohet me anë të titullit të dytë, të librit, që emërtohet “Legjendat e Gorës”, duke vendosur kështu një ekuilibër të përfaqësimit të kësaj pasurie të pazakontë, të asaj krahine, ndonëse të përndarë në tre shtete. Titulli i dytë, më në fund e vendos në marrëdhënie përmbajtësore materien e tekstit, e mbi të gjitha paralajmëron se në këtë libër janë përmbledhur legjendat e Gorës, një pasuri e pazakontë dhe unike, ku janë përfshirë pesëdhjetë e dy legjenda, pjesë e kujtesës dhe kurorës shpirtërore të Gorës.

ZHANRI I LËVRUAR

E theksuam qysh në krye se në faqet e këtij libri, kemi të bëjmë me rishkrim të legjendave, pasojë e përpunim të plotë autorial, që më tepër mishërojnë tipin e ritregimit. Pra, në kuptimin formal, ritregimi hyn në zhanrin e prozës, që përgjithësisht ka të bëjë me rishkrimin e teksteve poetike në prozë, ku botërisht njihet ritregimi i dramatikës së Shekspirit e të shumë shkrimtarëve të tjerë, për të zgjeruar komunikimin me lexuesin e gjithë moshave. Për dallim nga format e tjera të prozës, tregimit, novelës dhe romanit, apo të formave të tjera, rrëfenjave dhe përrallave, kalimi nga poezia në prozë, mbase më tepër përfaqëson një nënzhanër të prozës, që vetiu ruan marrëdhënien me poezinë, si gjendje dhe figurim, por që ndërkohë formësohet me anë të prozëshkrimit. Më në fund, pa drojë mund të themi, bukuria e legjendave, stili i hollë dhe poetik, me të cilën paraqiten, vetiu të kredhë në magjinë dhe madhështinë që ngërthejnë, tekstet e ritreguara nga autori.


Shpërndaje