Projekte
Kryesore > Projekte > Botë në përkthim
Botë në përkthim
Botë në përkthim: Pikëtakim i kulturave europiane
në gjuhën shqipe 2014-2016 (WORLDS IN TRANSLATION: EUROPEAN NOVELS IN ALBANIAN
LANGUAGE) është një projekt përkthimi letrar i Botimeve Toena, mbështetur nga programi "Creative Europe" i Komisionit Europian.
Ky projekt kishte si qëllim përkthimin, botimin dhe promovimin e një kolane
prej nëntë romanesh të zgjedhura nga Shtëpia Botuese Toena.
Përmes këtij projekti u mundësua:
1. Krijimi i një kolane, që përmban nëntë romane nga 9 autorë të ndryshëm
europianë.
2. Pjesëmarrja në Festivale të ndryshme Letrare dhe Panaire Librash si:
Festivali i Artit dhe Librit (2015, Tiranë), Panairi i Librit në Tiranë,
Panairet e Librit në: Torino, Selanik, Shkup, Gjenevë, Prishtinë, panaire
librash në Shqipëri si: Durrës, Sarandë, Tiranë, Vlorë.
3. Realizimi i takimeve dhe prezantimeve letrare me pjesëmarrje të autorëve
dhe përkthyesve të romaneve të përfshira në kolanë me qëllim promovimin e
romaneve duke u dhënë atyre hapësirën e nevojshme për të pasur një komunikim të
vërtetë me lexuesin. Këto takime u zhvilluan në qendra të rëndësishme të
Tiranës si Muzeu Historik Kombëtar dhe Akademia e Shkencës. Temat kryesore të
këtyre takimeve ishin letërsia në një kontekst europian, debate mes fatit të
romanit në të dyja gjuhët (në origjinal dhe versionin shqip) dhe tema të tjera si:
studimi jashtë vendit, përfitimet e mësimit të gjuhëve të huaja dhe zhvillimi i
profesionistëve në fushën e letërsisë, përkthimit dhe profesioneve në interes
të studentëve. Gjithashtu në këto takime ishin të pranishëm akademikë,
shkrimtarë, kritikë letrarë, etj.
4. Gjatë qëndrimit të autorëve në Tiranë kemi bërë të mundur zhvillimin e
një numri të madh të intervistave të dhëna nga autorët dhe përkthyesit e
librave në kolanë në të gjitha stacionet e rëndësishme TV (Top Channel, Ora News,
News 24), gazeta dhe suplemente letrare (Gazeta Shqiptare, Mapo, Milosao,
Gazeta Shqip, Tema), lexime në radio të fragmenteve të librave (Radio Kombëtare
Shqiptare).
5. Promovimi i romaneve përmes mediave sociale si faqja zyrtare e Toenës në
Facebook, Twitter, faqja zyrtare në internet, libraria online Toena dhe
bashkëpunimi me librari online si
Shtepiaelibrit.com, Bukinist.
6. Përfshirja në të gjitha veprimtaritë tona të debateve, leximeve,
diskutimeve të librit me lexues, studentë të Departamentit të Gjuhëve të Huaja dhe Gjuhës Shqipe (Universiteti i Tiranës), studentë të shkollave të mesme,
shkrimtarë shqiptarë, përkthyes dhe lexues të specializuar.
7. Shpërndarja e të nëntë titujve në zinxhirin e dyqaneve të Toena-s në
Shqipëri dhe jashtë saj: Tiranë, Durrës, Vlorë (Orikum), Shkup (Maqedonia e
Veriut), Ulqin (Mali i Zi), Prishtinë (Kosovë) dhe librari të tjera të
rëndësishme, me të cilat bashkëpunojmë si "Shqip", "Adrion".
Projekt i financuar nga Bashkimi Europian.