Projekte
Kryesore > Projekte > Rrugëtim drejt identitetit
Rrugëtim drejt identitetit
Rrugëtim drejt identitetit 2019-2020 (Il cammino verso l’identità) është një projekt përkthimi letrar i Botimeve Toena, mbështetur nga programi "Creative Europe" i Komisionit Europian.
Projekti "Rrugëtim drejt identitetit", i cili përmban 7 romane të
shkruara në 5 gjuhë europiane (italisht, greqisht, frëngjisht, gjermanisht dhe
anglisht) synon të krijojë një kolanë me të njëjtin titull, që do të sjellë për
publikun 7 vepra që i përkasin një letërsie të rëndësishme europiane përmes disa
autorëve të rëndësishëm, të njohur dhe të vlerësuar si në një kontekst kombëtar
ashtu edhe ndërkombëtar. Projekti synon të tërheqë vëmendjen e një grupi të
madh lexuesish, si lexues fillestar dhe lexues të fortë, por edhe lexues të specializuar,
dhe mbi të gjitha ai synon të arrijë edhe te lexuesi emigrant i cili ka jetuar
jashtë për disa breza dhe ka nevojë që pas një rrugëtimi të gjatë në përshtatje me
kulturën pritëse të mund të dëgjojë dhe lexojë në gjuhën e tij. Diversiteti i
letërsisë europiane pasqyrohet mbi të gjitha në fillin e përbashkët që përshkon
të gjitha romanet e zgjedhura: rrugëtimi i vështirë dhe jo i parashikueshëm i
njeriut në botë dhe brenda vetes në kërkim të identitetit të tij, duke u
përplasur me botën e jashtme dhe atë të brendshme në kërkim të hapësirës së tij
dhe kohës individuale, por në të njëjtën kohë edhe të asaj globale së bashku me
njerëzit që e shoqërojnë gjatë këtij udhëtimi.
Projekt i financuar nga Bashkimi Europian.