Shporta juaj është bosh
Ëndrra e Damokleut
"Ëndrra e Damokleut", një ritregim bashkëkohor, në variantin shqiptar, i historisë së përjetshme të Romeos dhe Zhuljetës. Në sfond, ngjarjet tragjike të marsit 1997, vitit të çmendurisë kolektive të shqiptarëve. Ergysi dhe Linda, njëri student në degën e letërsisë, tjetra studente për pikturë në Akademinë e Arteve, paguajnë haraçin e rëndë të kësaj çmendurie. Dhe të urrejtjes së ndërsjelltë të familjeve të tyre, të armiqësuara në kalvarin e gjatë absurd të luftës së klasave.
Në fillim nuk e njoha, s'kisha nga ta njihja. Mua nuk më kishte qëlluar kurrë të shihja ndonjë vizatim, ndonjë gravurë, të lashtë apo moderne, me pamjen e tij, madje nuk dija asgjë tjetër për të veç emrit. Dhe emri shoqërohej gjithmonë nga një shpatë, e njerëzit e përdornin pa e ditur, siç nuk e dija edhe unë, cila qe historia e vërtetë e atij njeriu të lidhur në amëshim me fjalën shpatë...
Para meje qëndronte një burrë pak i kërrusur, mbështjellë në një tunikë të bardhë elegante... m'u duk si një shtatore prej bronzi. Në njërin krah të shtatores qëndronin dy skifterë. Deri një çast më parë ata kishin çukitur kokën time me sqepat e hekurt e tani rrinin të gatshëm të më suleshin sapo t'i lëshonte i zoti. Ky e kuptoi frikën time. Dhe qeshi.
Mos u tremb, tha... Ata nuk janë skifterë... Ky çift skifterësh virtualë përfaqësojnë fjalët "Shpata e Damokleut". Këtë askush përveç meje nuk mund ta dijë më mirë. Sepse unë jam vetë Damokleu.
Autori | Fatos Kongoli |
---|---|
Shtëpia botuese | Botimet Toena |
Kategoria |
Romancë Roman Bashkëkohorë Me temë historike Letërsi shqipe |
Numri i faqeve | 320 |
Data e botimit | Shkurt 2015 |
ISBN | 9789928227893 |
Gjuha | Shqipe |