Fatos Kongoli
Fatos Kongoli lindi në
Elbasan, më 1944. Studio për matematikë pjesërisht në Pekin, pjesërisht në
Tiranë, ku u diplomua në vitin 1967. Punoi për një kohë të gjatë si gazetar
letrar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Është autor i një
vargu librash. Shquhen sidomos romanet e tij, të vlerësuara nga lexuesi
shqiptar dhe i huaj. Librat e Kongolit janë botuar në Francë, Itali, Zvicër,
Greqi, Gjermani, Poloni, Sllovaki, Bullgari, Serbi, Britani e Madhe, Spanjë, me
jehonë në disa nga gazetat dhe revistat më të mëdha europiane, si: Le Monde, Le
Figaro, La Stampa, Le Temps, Le Soir, L’Express, Magazine Littéraire, Der Tagesspiegel,
The Guardian, The Indipendent, El Publico etj. Është tri
herë fitues i çmimit vjetor “Për librin më të mirë në prozë” dhënë nga Ministria
e Kulturës (1995, 2000, 2002), si dhe i çmimit “Velia” (2000). Është fitues i
çmimit ndërkombëtar “Balkanika” (2002). Gjithashtu, është fitues i çmimit më të
lartë letrar në Shqipëri “Penda e Artë” (2004).Shoqata e Botuesve Shqiptarë e
ka vlerësuar me çmimin “Shkrimtari i vitit” për 2006-n, ndërsa romani “Lëkura e
qenit”, përkthyer në gjermanisht, u shpall libri i muajit qershor 2006 në
Gjermani. Është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.