Shporta juaj është bosh
Gjinkallat e vapës
Besnik Mustafaj u bë i
njohur si romancier te ne në Francë me romanin “Vera pa kthim”, një roman
postsimbolik, i cili mishëron një harmoni të mrekullueshme, ku ndërthuren shumë
mirë ndjenja elegjiake me një traditë që mund ta quajmë ilire dhe me thekse të
ardhura nga Greqia e Vjetër. Me romanin e tij të dytë, “Gjinkallat e vapës”, ne
shohim lulëzimin e një talenti që refuzon të shkojë drejt të vërtetave të
dukshme dhe kuptimeve pa ambiguitet. Vendi “Katund” pushtohet nga gjinkallat
përgjatë një vere ku vapa është kërcënuese dhe pa pushim. Gjinkallat mund të
merren si një fenomen natyral ose kozmik. Do të ishte e lehtë për lexuesin t’u
jepte atyre një rol thjesht fizik dhe kalimtar. Por ai nuk duhet të kënaqet me
këtë version elementar. Banorët e Katundit vuajnë aq keq nga prania e
gjinkallave, sa ato nuk shihen ndryshe veç si simbole. Ata nuk duan të flasin
në asnjë çast për to me qartësi. Imagjinata ta thotë se ato janë kumtuese të
një pushteti tiranik. Duhet që populli të ndihet i shtypur, pa e ditur arsyen.
A janë gjinkallat bashkëpunëtore të një pushteti të padukshëm, apo, parë në një
nivel metafizik, ato janë dërguar nga hyjni të pamëshirshme? Nuk duhet kërkuar
çelësi për një mister njëherësh të shumëfishtë dhe imagjinar. Gjithë arti i
Besnik Mustafajt qëndron tek ushqimi i këtij misteri.
Parabolat e Isamil
Kadaresë, paraardhësi i madh dhe i shquar i Besnik Mustafajt, janë shprehur
gjithmonë me një gjuhë të kthjellët dhe të një fuqie të rrallë. Besnik Mustafaj
e shtyn lexuesin të humbasë aty brenda. Ajo që është jerm duhet të mbetet e
tillë. Ajo që është pa rrugëdalje, nuk ka pse të ftillohet. Sharmi nuk fitohet
duke gjetur dalje drejt arsyes, por duke zbuluar shtypjen nën peshën e
enigmave.
Autori | Besnik Mustafaj |
---|---|
Shtëpia botuese | Botimet Toena |
Kategoria |
Roman Mister Letërsi shqipe |
Numri i faqeve | 224 |
Data e botimit | Gusht 2018 |
ISBN | 9789928327611 |
Gjuha | Shqipe |