Shporta juaj është bosh
Boshi
Kompozimi i romanit është i mirëmenduar. Ai ka pesë tablo: e para, dashuria e Ana B.-së dhe Agronit në një dhomë hoteli, ku afshi i ngrohtë njerëzor shkrin jo vetëm akullimin stinor dimëror, por edhe vetë atë të kohës së "ngrirë"; e dyta, ndodhia e vdekjes së Ana B.-së dhe minatorëve, në galerinë e minierës nga shembja; e treta, kthimi i Anës te njerëzit e afërt në Tiranë; e katërta, kthimi i Agronit te njerëzit e Anës për ta gjetur atë; e pesta, rikthimi i Agronit në qytetin verior për të kërkuar rishtazi Anën, që s'dihet se ku është.
Janë edhe dy kinse tablo: Tabloja paralajmëruese, me dy vargje: Na bëjnë Pazar deri dhe hijen / E ne vazhdojmë megjithatë; Tabloja përmbledhëse, ku bëhet fjalë rishtazi për hijen që na ndjek pas, që përzihet me qenien tonë në formën e një ëndrre të keqe, që na lëndon dhe na kall frikën. Po kush na kall frikën: ai që shohim apo ai që nuk e shohim?
Me këto dy kinse tablo të kornizës së romanit, fillimit dhe fundit, duket se shkrimtari na fal edhe çelësin për ta kuptuar, më në fund, "dredhinë" e tij. Toni i rrëfimit është përgjithësisht i qetë, me një vesk psikologjik, ku nuk anashkalohen ngjyrimet dramatike e, ndonjëherë, tragjike.
Më së shumti, si akord bazë, zotëron qasja ironike, e kudogjendshme: edhe ndaj të tjerëve, edhe ndaj vetvetes. Ironitë bëhen therëse me patetikën dhe butaforinë "heroike" të regjimit komunist, me "pavdekësinë" e liderëve, me urimet dhe bekimet "të rrojnë sa malet", me njeriun e bindur e kokulur që nuk flet e nuk shikon, përveç asaj që thuhet dhe jepet, me individin e gëlltitur nga kolektivi, me zyrtarët që fabrikojnë gënjeshtrat, me "mbylljen në këllëf" të krejt shoqërisë dhe atrofizimin e saj, gjer dhe te "një hotel të humbur, në një qytet të humbur, midis maleve të humbura të Shqipërisë së humbur", duke e transformuar konotacionin e gjithë këtyre në tallje, e satirë të hidhur.
Autori | Besnik Mustafaj |
---|---|
Shtëpia botuese | Botimet Toena |
Kategoria |
Roman Letërsi shqipe |
Numri i faqeve | 304 |
Data e botimit | Janar 2010 |
ISBN | 9789994316007 |
Gjuha | Shqip |