E pabesueshme, por e vërtetë

Për një artist të shumënjohur e të dashur për publikun shqiptar si Piro Milkani, Artist i Popullit, një nga pionierët themelues të kinematografisë shqiptare, do të ishte e pakuptueshme të mos linte pas kujtimet e një jete. Mund të quhej pa frikë një humbje për filmografinë tonë, boshllëk në historinë e filmit shqiptar, sepse fati e ka përkëdhelur të jetë bash në qendër të gjithë atyre ngjarjeve të mëdha të këtij arti kaq të dashur prej themelimit e deri në ditët tona. Shkurt, në shprehjet e bisedave ligjërimore të gjuhës së përditshme, për këto raste thuhet shkurt: gjynah të mos shkruhet gjithë ajo jetë e madhe. Në këtë libër, që vjen në 80 vjetorin e tij për lexuesin shqiptar parakalon një pjesë e vogël, shumë e vogël ngjarjesh nga tërë ajo jetë e madhe, duke përzgjedhur me një kujdes “tepër koprac” ca ngjarje të bukura, që lexohen me një frymë e të tronditin me bukurinë e tyre të rrallë, me gjetjet e tyre poetike që i ka servirur vetë jeta me koincidencat e saj të befta e të pabesueshme, me kapriçiot e fatit, rinjohjet e befta pas dekadash të tëra terri e izolimi me miq të rinisë, takime me artistë të mëdhenj botërorë, fama e të cilëve të mek mendjen e frymën sapo u lexon emrin.

Nëse jeta e tij e gjatë prej artisti (ashtu si jeta e çdo njeriu) është një lumë, Milkani ulur në breg të tij, ka marrë shoshën dhe ka shpëlarë tërë rërën e bregut për të gjetur ca thërrime ari, njësoj si ata kërkuesit e dikurshëm në Alaskë, që përshkruan Xhek London. Këtë radhë nuk është ai regjisori e as skenari. Përkundrazi, e tillë është jeta e tij dhe Milkani veç sa ka xhiruar ato episode që i ka diktuar ajo, kujtesa e një jete.

Detajet rreth librit
Autori Piro Milkani
Shtëpia botuese Botimet Toena
Kategoria

Kujtime

Letërsi shqipe

Numri i faqeve 176
Data e botimit Shkurt 2019
ISBN 9789928277251
Gjuha Shqipe
Libër fizik
600 Lekë

Dërgesa brenda 2-5 ditë pune