Ditari i përballjes me koronavirusin

Ditari i Fatmir Toçit është ftesa më e rëndësishme, më konkrete, më thelbësore, që u drejtohet në gjuhën shqipe shqiptarëve për të respektuar masat e dhëna prej mjekëve, e të miratuara prej qeverive nëse duan të mbrojnë veten e të mbrojnë të vetët, kolegët e miqtë, të tjerët që takojnë, prej virusit vdekjeprurës Kovid -19. Është e kuptueshme, prandaj, pse në Ditarin e Fatmir Toçit janë aq të shpeshtë emrat e mjekëve, shprehet një nderim ndaj mjekëve e infermierëve - këtyre heronjve të kësaj kohe. Në Ditarin e tij, në këtë roman dokumentar historik mbi një virus, që atij ia rrezikoi jetën, Fatmir Toçi do t’u shprehë falënderime kolegëve, miqëve të tij, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Greqi, në Luginë të Preshevës, ndër fshatrat e arbëreshëve të Italisë, edhe në diasporën shqiptare në Europë, në Turqi, në SHBA, të cilët u interesuan për shëndetin e tij, për jetën e tij. Lexojeni Ditarin e Fatmir Toçit. Kjo është vepër e intelektualit me dhunti të dëshmuar krijuese. Kjo është vepër me vlera shkencore dhe artistike. Kjo është vepër që do të ketë ndikim shoqëror dhe etik. Prej luftës që përshkruhet në të për t’i shpëtuar Vdekjes do të çmojmë Jetën. Ajo, Jeta, është shumë e vlefshme, shumë e rëndësishme. Jeta, është shumë e bukur. Dhe, duhet të përpiqemi, ta ruajmë vlerën e saj, rëndësinë dhe bukurinë e saj. Dhe, ta mbrojmë prej të këqijave e rreziqeve që mund t’i vijnë prej anëve të ndryshme, ashtu siç e mbrojtën mjekët e infermierët prej virusit Korona Jetën e Fatmir Toçit.

                                                                                                                                                                                                                                                              Rexhep QOSJA

Detajet rreth librit
Autori Fatmir Toçi
Shtëpia botuese Botimet Toena
Kategoria

Kujtime

Bashkëkohorë

Letërsi shqipe

Ditar

Numri i faqeve 256
Data e botimit Dhjetor 2020
ISBN 9789928327932
Gjuha Shqipe
Ebook
900 Lekë

I disponueshëm menjëherë